Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve, ky është afati i ankesave

28.10.2021 Aktuale
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) përmes një njoftimi, ka bërë të ditur se pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, të cilat u mbajtën të dielën e 17 tetorit, subjektet politike si dhe kandidatët mund të parashtrojnë ankesa.
Po ashtu, PZAP-i në këtë njoftim, ka bërë të ditur se afati për ankesa është 24 orë nga momenti i publikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ne ora 10:00 ka shpallur Rezultatet e Zgjedhjeve të Kandidatëve për Kryetar të Komunave për zgjedhjet Lokale te mbajtura me 17 Tetor 2021. Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, njofton të gjitha palët që kanë interes juridik dhe publikun e gjerë se kundër këtyre rezultateve mund të parashtrojnë ankesë/apel në PZAP brenda afatit prej 24 orëve nga momenti i publikimit të rezultateve nga KQZ-ja”, thuhet në njoftim.
Më tej, ky institucion ka bërë të ditur se ankesat apo apelet mund të adresohen në PZAP vetëm kundër shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të Kandidatëve për Kryetar të Komunave e jo edhe kundër shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të Kandidatëve për anëtar të Kuvendeve Komunale, pasi që ato nuk janë shpallur ende nga KQZ-ja.
“Ankesat/apelet mund të adresohen në PZAP vetëm kundër shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të Kandidatëve për Kryetar të Komunave e jo edhe kundër shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të Kandidatëve për anëtar të Kuvendeve Komunale, pasi që ato nuk janë shpallur ende nga KQZ-ja, që i bie se të gjitha Kandidatet për anëtar të Kuvendeve Komunale mund të parashtrojnë ankesë/apel në PZAP, pas shpalljes së rezultateve të Kandidateve për anëtar të Kuvendeve Komunale nga KQZ-ja”.