Pas më shumë se tre vitesh, Gjermania heqë të gjitha masat kundër COVID-19

09.04.2023 Gjermani
Në Gjermani nga data 8 prill, pas më shumë se tre vitesh, masat mbrojtëse kundër pandemisë së koronavirusit po marrin fund, por politikanët po paralajmërojnë se koronavirusi ende paraqet rrezik për shëndetin.
“Masat po hiqen, por kjo nuk do të thotë se koronavirusi është zhdukur. Kujdesi dhe vëzhgimi i situatës në terren mbeten ende instrumente të politikës së mbrojtjes kundër sëmundjeve infektive,” tha Janosch Dahmen, zëdhënës i Partisë së Gjelbër në pushtet. për politikën shëndetësore.
Prej ditës së sotme pushojnë së zbatuari masat e fundit si detyrimi për mbajtjen e maskës FFP2 në ambientet e kujdesit shëndetësor dhe shtëpitë e të moshuarve për vizitorët. Këto institucione mund të vendosin vetë për rregullat për mbajtjen e maskës. Nga 8 prilli do të përfundojnë edhe kufizimet për hyrjen në Gjermani për shkak të pandemisë së koronavirusit. Masat si detyrimi për të mbajtur maska në transportin publik u hoqën në shkurt.
“Pandemia është kapërcyer me sukses”
Rregullat për vaksinimin kundër koronavirusit po kalojnë nga urgjenca në sistemin e rregullt të kujdesit shëndetësor. Në Gjermani ende regjistrohen çdo ditë disa mijëra raste të reja të infektimit me koronavirus. Të enjten, sipas Institutit Federal për Sëmundjet Infektive, Instituti Robert Koch, në Gjermani u regjistruan 3,136 raste të reja të infektimit në krahasim me një ditë më parë.
Pavarësisht kësaj, Ministri i Shëndetësisë Karl Lauterbach tha javën e kaluar se pandemia në Gjermani është “kapërcyer me sukses”.