Nuk respektuan ligjin anti-COVID, policia dënon mbi 600 qytetar

11.09.2022 Lajme
Në Kosovë situata epidemiologjike duke e krahasuar me vendet e tjera përreth është më e mirë, kështu të paktën thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Por, krahas situatës bartja e maskës, mbajtja e distancës dhe higjiena personale mbesin obligative në vendin tonë.
Edhe pse këto masa janë obligative shumë qytetar nuk po i respektojnë ato, e një gjë e tillë po bëhet e ditur nga Policia e Kosovës e cila që nga fillimi i pandemisë në Kosovë është duke zhvilluar aktivitete që të parandalojë përhapjen e infeksionit me COVID-19.
Gjatë ditës së premte Policia e Kosovës ka gjobitur 649 qytetar në bazë të ligjit anti-COVID, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi që nga muaji gusht i vitit të kaluar.
Ndryshe, Ligji për Pandeminë ka 29 nene, ndërsa rregullon çështjen e parandalimit, menaxhimit dhe kontrollit të pandemisë COVID-19. Në nenin 24 pika 5 të këtij Ligji, të gjithë ata të cilët nuk mbajnë maskë do të dënohen me 35 euro.
Rikujtojmë se gjatë 24 orëve të fundit në Komunën e Suharekës janë identifikuar 15 raste të reja me COVID-19.