Tiranë, arrestohet mashtruesi që u vodhi kosovarëve llogaritë në Facebook

31.03.2023 Shqipëri
Pas disa muajsh hetime është finalizuar operacioni policor i koduar “Account”, për goditjen e mashtrimit kompjuterik. Me këtë rast është arrestuar një 28 vjeçar në Tiranë, i cili dyshohet se ka përfituar mbi 100 mijë euro, duke vjedhur llogaritë e kosovarëve në Facebook, të cilat i përdori për të përfituar shuma parash.
Operacioni, nga Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Vidhte llogaritë e shtetasve të ndryshëm kosovarë, në rrjetin social Facebook, dhe i përdorte ato për të përfituar shuma parash nga familjarët dhe të afërmit e shtetasve që iu kishte vjedhur llogaritë, identifikohet dhe vihet në pranga 28-vjeçari.
28-vjeçari ka marrë shuma të ndryshme parash (në total mbi 100 000 euro), nga familjarët dhe të afërmit e poseduesve të llogarive në facebook, pasi iu kishte dërguar atyre mesazhe se kishte nevojë për para.
Sekuestrohen 7 karta bankare, 2 laptopë, pajisje të tjera kompjuterike dhe 62 mandate të lëshuara pas tërheqjes së shumave monetare.
Njësia “C” për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas kallëzimeve të marra nga disa shtetas kosovarë, për vjedhjen e llogarive të tyre në rrjetet sociale dhe përdorimin për të kërkuar para nga familjarët e tyre, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Account”, për dokumentimin e kësaj veprimtarive kriminale, identifikimin e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësi ligjore.