FLASH

Gjermania pritet të shqyrtojë të drejtën për azil jashtë vendeve të BE-së

Gjermania pritet të shqyrtojë të drejtën për azil jashtë vendeve të BE-së

02.05.2023 Gjermani

Gjermania tani po mendon për shqyrtimin e të drejtës për azil jashtë Bashkimit Evropian. Si do të realizohet kjo?

Ideja nuk është e re: të shqyrtohet e drejta e azilit para ardhjes së azilkërkuesve në territorin e BE-së dhe kështu të përcaktohet nëse ata kanë të drejtë për azil politik apo jo. Varësisht nga rezultati i kontrollit, kandidatët do të lejohen në territorin e BE-së, e ata që nuk kanë të drejtë do të kthehen në vendet e tyre të origjinës.

Kjo është diskutuar për një kohë të gjatë në Danimarkë, tani këtë procedurë po e përgatit edhe Britania e Madhe.

Duke marrë parasysh rritjen drastike të numrit të azilkërkuesve në Gjermani, pothuajse 90 mijë vetëm në tre muajt e parë të këtij viti dhe situatën e krizës në qytetet që nuk kanë më ku të strehojnë emigrantët dhe kanë mungesë fondesh, ideja për të kryer një procedurë të verifikimit të të drejtave për azil para hyrjes në BE, tani është shfaqur edhe në Gjermani.

Kështu, shumica e atyre që nuk kanë perspektivë për azil politik në Gjermani – qytetarë të Pakistanit, Tunizisë, Algjerisë, etj. – do të ndaheshin edhe para se të mbërrinin në tokën e BE-së.

Problemet e mëdha të Gjermanisë

Gjermania, siç shkruan e përditshmja Frankfurter Allgemeine Zeitung, po punon për të mundësuar këtë proces.

“Aktualisht jemi duke shqyrtuar mundësinë e kontrollit të statusit të azilkërkuesve edhe në vendet e treta”, thotë ministrja e Brendshme, Nancy Faeser nga SPD-ja.

Ajo tha se aktualisht ka “negociata intensive” për lidhjen e marrëveshjeve ndërshtetërore që do të lejonin këtë lloj procedure.

E pyetur nëse beson se rritja e madhe e numrit të azilkërkuesve “kapërcen aftësitë e Gjermanisë”, Faeser shmangu një përgjigje dhe vuri në dukje samitin e krizës të qeverisë federale dhe përfaqësuesve të provincave dhe qyteteve federale më 10 maj.

Rritja e popullaritetit të AfD

Për shkak të rritjes së madhe të numrit të refugjatëve jo vetëm nga Ukraina, por edhe nga Siria, Afganistani, Turqia dhe vendet afrikane, qeveria federale gjermane është nën presion në rritje që nga fillimi i vitit.

Përfaqësuesit e opozitës kristiandemokrate i kërkojnë ministres Faeser dhe qeverisë federale të vendosin kufijtë e sipërm të numrit të refugjatëve, gjë që ajo e refuzoi vazhdimisht.

Qytetarët në të gjithë Gjermaninë po dalin sërish në rrugë, si në krizën e vitit 2015, dhe protestojnë kundër ndërtimit të ambienteve të reja të pritjes për refugjatët. Natën e së shtunës u dogj një kamp për refugjatët në landin e Hessenit.

Kryeministri i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer (CDU), tha se nëse diçka nuk ndryshon në politikën ndaj refugjatëve, do të ketë një “përmbysje politike”, duke aluduar në rritjen e popullaritetit të Alternativës populliste të krahut të djathtë AfD, veçanërisht në pjesët lindore të Gjermanisë. /Deutsche Welle/

ISEFERI SH.P.K. Prodhimtari Zona Industriale-Shirokë, 23000 Suharekë,
Kosovë
Deon plâtrerie-peinture Sàrl Ndërtimtari Rue des Bains 35, 1205 Genève,
Zvicër
Hallka Marketing Agency Marketing / Web Rr. Brigada 123, 23000 Suharekë,
Kosovë
Vitamina - Marketing Agency Marketing / Web Srednje Bitnje 72, 4209 Žabnica,
Slloveni