Bruksel, paralajmërohet protestë me moton “Për UÇK-në, të vërtetën dhe drejtësinë”

11.04.2023 Diaspora
“Për UÇK-në, të vërtetën dhe drejtësinë”, sërish pritet të protestohet në mbështetje ndaj ish krerëve të UÇK-së dhe atyre të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Kësaj radhe nuk do të protestohet në Hagë të Holandës aty ku ndodhet selia e Gjykatës Speciale, por në Bruksel, protestë kjo e cila pritet të mbahet në fund të muajit maj ose në fillim të muajit korrik.
Këtë e bëri të ditur në një prononcim për Telegrafin njëri nga organizatorët e protestës në Hagë, njëherësh vëllai i ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, Fehmi Gucati.
Gucati, tha se protesta e ardhshme pritet të mbahet ose në fund të muajit maj, ose në fillim të muajit prill pasi ende nuk e kanë vendosur një datë të saktë.
Ai po ashtu tregoi edhe arsyen e mbajtjes së kësaj proteste në Bruksel.
“Sepse aty është bërë e pa drejta më e madhe ndaj çlirimtareve me formimin e Gjykatës Speciale. Pak a shumë e kemi parapa nga fundi i muajit maj, ose nga fillimi i muajit korrik. Arsyet veç se po dihen…për të gjithë ata që janë duke u gjykuar në këtë gjykatë”, ka thënë ai.
Gucati po ashtu theksoi se kjo gjykatë është politike dhe e njëanshme.
“Kjo është një e padrejtë e madhe që po iu bëhet krerëve të UÇK-së dhe atyre të OVL-së”, u shpreh ai.
I pyetur se a do të ketë protesta të shumta për t’i dal kundër kësaj Gjykatës, ai tha: “Po do të vazhdojmë rregullisht me protesta. Kësaj radhe do të jetë nën vendin e duhur, dhe besoj shumë që do të na përkrahin njerëzit”.