Bëhet kërkesë që Juventusit t’i hiqet titulli për sezonin 2018/19

01.04.2023 Sport
Është paraqitur një apel ligjor për t’i hequr Juventusit titullin e Serie A të sezonit 2018/19 dhe për t’ia dorëzuar trofeun ekipit që përfundoi i dyti atë sezon, pikërisht Napolit.
Bianconerët po përballen me probleme të shumta ligjore, ndërsa kanë apeluar dënimin prej 15 pikësh, i cili u vendos për rritje artificiale të tarifave të transferimeve për të rritur fitimet kapitale.
Seanca do të mbahet më 19 prill, por ndërkohë ka një tjetër çështje që po ngrihet ndaj klubit bazuar në sezonin 2018/19.
Aksioni u depozitua në gjykatën TAR në rajonin e Lazios nga avokatët që përfaqësojnë Codacons (një agjenci për mbrojtjen e konsumatorit) dhe shoqërisë “Associazione Club Napoli Maradona”.
Ky apel pretendon se Juventus “ka shkelur parimet e sistemit të drejtësisë sportive” dhe për këtë arsye “ndryshoi rregullsinë e sezoneve 2018/19, 2019/20 dhe 2020/21”.